Takimi Hapës i Projektit “Ngritja e përfaqësimit të të rinjve në proceset e vendimmarrjes së qeverisjes vendore”
Më 19 Korrik 2019, pranë Bashkisë Librazhd, u mbajt Takimi Hapës i Projektit “Ngritja e përfaqësimit të të rinjve në proceset e vendimmarrjes së qeverisjes vendore” i implementuar nga Shoqata Rinore SOEK- IN dhe e mbështetur nga RELOAD dhe Bashkimi Europian.
Projekti synon fuqizimin e rolit të të rinjve nëpërmjet rritjes se ndikimit dhe pjesëmarrjes se tyre në vendimarrjen lokale për politikat rinore dhe më gjerë. Ky projekt do të mbështesë Bashkinë Librazhd në përfshirjen e të rinjve në kuadër të hartimit të politikave rinore dhe përfshirjen e tyre në vendimarrjen vendore nëpërmjet ngritjes së një Këshilli Bashkiak Rinor, në të cilin janë përzgjedhur 20 të rinj.
Të rinjtë e përzgjedhur me synimin për të qenë gjithpërfshirës, janë te rinj emigrantë të kthyer, pjesë e qeverisë së nxënësve, grupet me aftësi te veçanta, të rinj nga komuniteti egjiptian si dhe të rinj nga njësitë administrative të Bashkisë Librazhd.
Gjatë Takimit Hapës Kryetari i Bashkisë Librazhd, Z. Kastriot Gurra, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimarrjen vendore duke ndikuar në demokratizimin e shoqërisë. Ndërgjegjësimi i të rinjve, theksoi ai, duke u vendosur si prioritet i së tashmes kthehet në një investim për të ardhmen e qytetit tonë.
Në vijim të takimit, Znj. Eglantina Gollaj, Menaxherja e Projektit të RELOAD, citoi rrugëtimin e mbështetjes së RELOAD në Bashkinë Librazhd dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së shoqërive civile lokale si një kontribut për komunitetin lokal. Znj.
Odeta Berberi, Menaxherja e këtij projekti pranë Shoqatës SOEK-IN falenderoi pjesëmarrësit dhe sidomos të rinjtë e përzgjedhur që shprehën dëshirën për të qenë pjesë e projektit. Ndër të tjera Znj. Berberi nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Bashkisë Librazhd që e panë me prioritet përfshirjen e të rinjve në vendimarrjen lokale si dhe falenderoi Projektin RELOAD dhe Bashkimin Europian për përzgjedhjen dhe më pas te gjithe mbeshtetjen qe po i japin projektit në realizimin e aktiviteteve të parashikuara.